Historiku i shkurtër i IHMK-së

Veprimtaria Hidrometeorologjike në Kosovë ka filluar që nga vitit 1923, kohë nga e cila datojnë regjistrimet e para të nivelit të ujit në lumin Drini i Bardhë në Vërmicë dhe Radac, Morava e Binçës në Krominjan, Kriva Reka në Domaroc, Sitnica në Mitrovicë dhe Lepenci në Hanë të Elezit. Nё vitin 1926 filloi sё funksionuari stacioni meteorologjik nё Prizren, nё vitin 1928 stacioni meteorologjik nё Pejё dhe mё 1933 filluan matjet meteorologjike nё stacionin e Prishtinёs, ndёrsa stacionet e Brezovicёs, Gjilanit, Ferizajit, Podujevёs kanё filluar punёn pas Luftёs sё Dytё Botёrore pёrkatёsisht nё vitet 1948-1949. Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1947, u themelua Drejtoria Federale e Shërbimit Hidrometeorologjik të Jugosllavisë, pastaj Enti Federal Hidrometeorologjik dhe Drejtoritë Republikane, ndërsa më vonë Shërbimet Krahinore Hidrometeorologjike. Ndёrkohё qё matjet e rregullta hidrometeorologjike filluan kryesisht nga viti 1948.

Nё qershor tё vitit 1988 ёshtё themeluar Enti Hidrometeorologjik i Krahinёs sё Kosovёs pёrgjegjёsitё e tё cilit ishin tё rregulluara me Ligjin mbi Veprimtarin Hidrometeorologjike. Funksionet kryesore tё tij ishin monitorimi dhe parashikimi hidrologjik, meteorologjik dhe monitorimi i cilёsisё sё ajrit dhe ujёrave sipёrfaqёsorё si dhe analizat laboratorike tё tyre.

Pas luftёs sё fundit, tё gjithё entet krahinore u shndёrruan nё Institute, nga vitit 2001 edhe Enti Hidrometeorologjik i Krahinёs sё Kosovёs ka kaluar nё Institutin Hidrometeorologjik tё Kosovёs i cili ka funksionuar brenda Departamentit pёr Mbrojtjen e Mjedisit. Me formimin e Ministrisё sё Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Departamenti i mbrojtjes sё Mjedisit kaloi nё Ministri pjesё e tё cilit ka qenё edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovёs i cili ka funksionuar nё bazë tё ligjeve nё fuqi.  

Në vitin 2011, në kuadër të riorganizimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bazuar në Planin Strategjik Zhvillimor 2010-2014 të MMPH-sё dhe me vendimin e Qeverisë së Kosovës Nr. 09/26, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ Nr.13, për Strukturën Organizative dhe Përgjegjësitë e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Sipas këtij udhëzimi administrativ IHMK kalon si pjesё pёrbёrёse e strukturёs organizative tё AMMK e cila është e organizuar në Institute, Drejtori, Divizione, Sektorë dhe Njësi. Tani Instituti Hidrometeorologjik ka statusin e njё institucioni qeveritar, struktura organizative e tё cilit ёshtё paraqitur nё organigramёn e dhёnё nё www.ammk-rks.net dhe ne www.ihmk-rks.net

Pёr mё shumё kliko nё: www.ammk-rks.net dhe në www.ihmk-rks.net, historiku i veprimtarisë hidrometeorologjike tё Kosovёs.